Lajçak mbetet pa postin e Ambasadorit të BE-së në Zvicër për shkak të “zhvillimeve të paparashikuara”
Edhe pse ishte caktuar si Ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër dhe Lihtenshtajn, Mirosllav Lajçak, përfundimisht nuk do ta marrë këtë post, “për shkak të zhvillimeve të paparashikuara”.
Për këtë ka njoftuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bernë të Zvicrës në faqen zyrtare. Në njotim thuhet se tashmë është zgjatur mandati i ambasadorit aktual Petros Mavromichalis, deri më 31 gusht 2025.
“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, ambasadori i caktuar i BE-së për Zvicrën dhe Principatën e Lihtenshtajnit, z. Miroslav Lajçak, përfundimisht nuk do të marrë postin në Bernë. Prandaj, mandati i ambasadorit aktual të BE-së, Petros Mavromichalis, në detyrë që nga shtatori 2020, është zgjatur deri më 31 gusht 2025. Ambasadori Mavromichalis pret të kalojë një vit shtesë duke punuar me partnerë dhe miq në Zvicër dhe Lihtenshtajn për të thelluar më tej marrëdhëniet me këto dy vende partnere të rëndësishme të BE-së”, thuhet në njoftim.
Mandati i Lajcak skadon më 31 janar 2025. Ai ishte angazhuar si emisar nga Borrell në vitin 2020.
Ka pasur raportime se me konfirmimin e ish-Kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, si Shefe e Diplomacisë së BE’së, do të hiqet kjo pozitë.
Por, vetë Lajçak është shprehur i sigurt se edhe pasi atij do t’i skadojë mandati, do të ketë të dërguar të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo pozitë është vërtetuar se është e rëndësishme. Ai thotë se i dërguari i BE’së është i nevojshëm deri në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Reporteri.net.
“Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.