Lajçak nesër vjen në Kosovë, pritet të takohet me Kurtin dhe liderët e opozitës
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor. Kjo vizitë, sipas analistëve, vjen për të shtyrë përpara dialogun ndërmjet dy vendeve, dhe pas Forumit të BE-së që nuk e qartësoi liberalizimin e vizave për kosovarët.
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nesër pritet të arrijë në Kosovë. Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Analisti Artan Muhaxheri, vizitën e Lajçakut në vendin tonë e sheh si një ndër vizitat e tij më të vështira, pas dështimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në Samitin e Brukselit.
“Zotri Lajcak, do të tentoj të shfajësohet sepse ajo që ndodhi në Samit ishte krejtësisht e padrejtë e pamoralshme ndaj qytetarëve të Kosovës dhe do të synoj të ofroj ndonjë shpresë për një liberalizim të shpejt në muajt në vijim, por edhe për një dobi afatgjate të Kosovës për çështjen e dialogut në mënyrë që të arrihet edhe marrëveshja historike me Serbinë dhe të bëhet edhe përfundimi i shtetësisë së Kosovës me anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe në Institucionet tjera”, thotë Muhaxheri.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, tha se vizitat e liderëve ndërkombëtarë kanë tendencë që ta shtyjnë Kosovën të kthehet në dialogun me Serbinë e sa më shpejt të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
“Krejt shtetet që po vijnë e po e vizitojnë Kosovën, çështja kryesore e diskutimit është çështja e dialogut. Pra, tendenca e krejt vendeve ose e liderëve që po vijnë ta vizitojnë Kosovën është me shty Kosovën me u kthye në dialog e që përmes dialogut sa më shpejt me arrit marrëveshjen përfundimtare me Serbinë – që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që është pozitive në këto vizita që po ndodhin, sidomos nga vizita e kancelarit gjerman në Prishtinë, po njëkohësisht edhe në Beograd, është që për herë të parë një lider i fuqishëm i BE-së, po e thotë shprehimisht pra që marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nuk mund të pretendohet që një shtet të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njoftë një shtet tjetër”, thotë Demhasaj për RTK.
Në këtë drejtim, edhe Muhaxheri thotë se dialogu është e vetmja alternativë e Kosovës por që BE është e obliguar ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Kosova nuk ka alternativ përveç dialogut dhe natyrisht që me gjithë këto probleme do të duhet që të ulet në tavolinën e bisedimeve edhe t’i analizoj dhe bisedoj edhe për çështjet që janë jetike për qytetarët e Kosovës, dhe natyrisht që kjo do të duhet të bëhet në mënyrë graduale, por është e domosdoshme që edhe BE-ja t’ju orfojë dicka qytetarëve të Kosovës sepse nuk ka asnjë logjikë që vazhdimisht të priten kompromise pa ndonjë kundërshpërblim”, u shpreh Muhaxheri.
Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit dyditor në Kosovë, planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.