Lajçak nga Beogradi: Dialogu do jetë në rend dite në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën

21 tetor 2023 | 18:18

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, ka njoftuar se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë “temë e diskutimit në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën”, dhe se më vonë do të diskutohet edhe në Këshillin e BE-së.

“Kjo vizitë do të ndikojë në ato diskutime”, tha Lajçak.

Diplomati sllovak, që shoqërohej nga amerikani Gabriel Escobar dhe këshilltarët, ai gjerman Emmanuel Bonne, francezi Jens Plotner dhe italiani Alessandro Cattaneo, ka thënë se “nuk ka të ardhme evropiane” për Kosovën dhe Serbinë pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit (Brukselit\Ohrit) dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.

Ai ka theksuar se ka pasur takime të gjatë si me Vuçiç-in, ashtu dhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme.

“Ne shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit, që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së”, tha Lajçak, duke shtuar se qëllimi i vizitës së “pesëshes së madhe” ishte të shihet se si të bëjë përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe de-eskalimit të situatës në Kosovë.

Top-diplomati sllovak, e dënoi serish sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi Afrim Bunjaku.

“Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia”, shtoi.

Ai po ashtu ka kujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars, duke iu referuar marrëveshjes në Brukselit dhe aneksi të Ojrit, dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.

Tutje, ai shtoi se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me Kurtin e Vuçiç-in do të vazhdojnë ditëve në vijim.

Pas përfundimit të takimeve me Kurtin dhe Vuçiç-in, Lajçak u lajmërua edhe në llogarinë e tij në platformën X.

Diplomati sllovak bëri thirrje nga të dyja palët “që të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të dialogut”, teksa dënoi sërish sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë. Ne theksuam se 24/9 duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, shkroi.

Ndërsa, pas takimit me kryeministrin Kurti, në një konferencë për media në Prishtinë, Lajçak ka thënë se pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit nuk ndryshon asgjë në raport me procesin e dialogut dhe se Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë.

E ky progres, sipas diplomatit sllovak, do të thotë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian. Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi ai.

Lajçak ndër të tjera ka çmuar gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet në këtë drejtim, ndërsa ka pranuar se në Prishtinë kanë ardhur me një plan.

“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë edhe me Vuçiçin. Nuk do të japë detaje”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ndër të tjera ka përsëritur faktin e bisedimet në Bruksel nuk kanë alternativë, meqë, sipas tij, pa dialog përsëritja e 24 shtatorit mund të jetë një gjë shumë reale.

“24 shtatori ka ndryshuar shumë gjëra, është shumë e qartë se ngjarja duhet të hetohet plotësisht dhe sulmuesit të përballen me pasoja, njëkohësisht dialogu duhet të vazhdojë. Sepse nëse nuk ka dialog mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit dhe këtë nuk e duam ne, mu për këtë jemi këtu për të ecur përpara me procesin e normalizimit dhe implementimin e marrëveshjeve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bobby Charlton, i njohur gjerësisht si një nga futbollistët më…