Lajçak: Ngjarjet në Banjska s’e ndryshojnë Marrëveshjen Bazë
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ngjarjet vdekjeprurëse në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje mes vete për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.
“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti”, ka shkruar emisari evropian duke iu referuar Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars). Së këndejmi, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet.
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar diplomatin sllovak në takime të ndare në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë.
Lajçaku ka thënë se ngjarjet në veriun e Kosovës përbëjnë “një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë”, derisa ka kërkuar nga Serbia “bashkëpunim të plotë” për zbardhjen e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku ka humbur jetën një rreshter i Policisë së Kosovës.
“Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”, ka shtuar ndër të tjera emisari evropian pas takimeve në Prishtinë e Beograd.
Ai ka theksuar gjithashtu se kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, së bashku me partnerët perëndimorë, ua ka bërë të qartë se de-përshkallëzimi në pjesën veriore të Kosovës, ashtu edhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve, janë aktualisht më urgjente se kurrë, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit.
“Në Prishtinë ashtu edhe në Beograd kemi diskutuar me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës”.
E eskalimi i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë dhe nivelet e larta vendimmarrëse përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja dhe SHBA-të presin nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.