Lajçak njofton se do t’i ftojë Bislimin e Petkoviqin për takim në Bruksel
I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se shumë shpejt do i ftojë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe të drejtorin e së ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, në Bruksel.
Në takimin në Bruksel, Lajçak pritet që t’i bëjë të ditura hapat e ardhshëm të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Si hap të ardhshëm në dialog, do t’i ftoj kryenegociatorët në Bruksel dhe do t’i diskutojmë hapat për zbatimin [e Marrëveshjes], për t’u siguruar se kemi një pajtim se si të vazhdojmë me zbatimin. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Marrëveshja Kosovë-Serbi ka hyrë në fuqi me deklaratën e Josep Borell të shtunën rreth mesnatës. Sipas BE-së ajo është ligjërisht obligative. Kështu e shohin edhe Emisari i SHBA-së Gabriel Escobar dhe ambasadori Christopher Hill.