Lajçak: Nuk guxoj të them një datë, por liberalizimi i vizave po vjen
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për “Euronews Albania” ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Ai ka theksuar se nuk guxon të thotë një datë, por liberalizimi i vizave po vjen.
“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, ka thënë Lajçak.