Lajçak pas takimit me Kurtin: Është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione

22 tetor 2022 | 15:45

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e makinave është paraparë të përmbyllet më 31 tetor.

Këto komente ai i bëri pas u takua në Prishtinë sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, ka theksuar Lajçak.

I pyetur nëse kanë diskutuar për propozimin që afati për riregjistrimin e makinave të shtyhet për 10 muaj, Lajçak konfirmoi se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit me Kurtin.

“Kemi diskutuar çështjen e targave, por është vendimi i kryeministrit dhe nuk do të komentoj në emrin e tij”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori ka nisur procesin e konvertimit të targave që lëshohen nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Por, interesimi i serbëve, ka qenë i vogël.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë këtë javë, deklaroi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të targave.

Lajçak shtoi se diskutimi me Kurtin ishte “konstruktiv dhe i dobishëm”.

“Ne kemi progres në diskutimet tona dhe kjo është e gjitha çfarë mund të them tani”, theksoi ai.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur në lidhje me këtë propozim, Lajçak tha se “natyrisht që kanë biseduar për këtë”

“Kjo është arsyeja që po vij këtu çdo javë. Por, shpresoj që e kuptoni se nuk do t’i ndihmonte procesit, nëse unë jam ai që jap detaje. Këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt javor me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka deklaruar Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpool ka zhgënjyer në transfertën ndaj Nottingham Forest në “City…