Lajçak pas takimit me Kurtin: Të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ku biseduan për takimin e 2 majit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi ka ndodhur në Delfi, ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik, i cili organizohet nën patronazhin e presidentes së Greqisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ku biseduan për takimin e 2 majit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi ka ndodhur në Delfi, ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik, i cili organizohet nën patronazhin e presidentes së Greqisë.
Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti dhe Lajçak diskutuan për takimin e radhës me 2 maj në Bruksel, ku në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takim u diskutua edhe për marrëveshjet e dakorduara ndërmjet palëve më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.
“Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Gjithashtu është theksuar se Kurti ka biseduar me Lajçakun edhe për zgjedhjet që u mbajtën në fundjavën e kaluar (23 prill) në katër komunat në veri të të Kosovës, si dhe për rëndësinë e sigurimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Stano nuk i ka komentuar kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka theksuar se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.
Liderët e të dy vendeve, Kurti dhe Vuçiq, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit.
Takimi do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.
Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.