Lajçak sot takohet me liderët e partive opozitare
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog, Miroslav Lajçak, do t’i takojë sot liderët e partive opozitare. Takimi është paraparë të mbahet nga ora 10:00 në ambientet e zyrës së BE-së në Prishtinë.
Pas Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së do ta vizitojë edhe Beogradin, kështu të paktën thonë nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka komentuar vizitën e të dërguarit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në Kosovë. Stano është shprehur se vizita e Lajçakut në Prishtinë vjen në kuadër të përpjekjeve për fillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, zëdhënësi i BE-së ka zbuluar se Lajçaku ka në plan ta vizitojë Serbinë së shpejti, për të diskutuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, mbrëmë ka biseduar për nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjes së normalizimit pa vonesa e parakushte.
Ai ka thënë se me Bislimin është pajtuar për hapat e radhës. Ajo që shihet është se takimi nuk është mbajtur në qeveri.
“Jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të vazhduar bisedimet për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Po ashtu, jemi pajtuar për hapat e radhës”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”, pas takimit.
Edhe qeveria ka njoftuar për këtë takim.
Sipas saj, tema kryesore e diskutimit ishte Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në vizitë dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Kosovë, në agjendë është edhe një takim i tij i përbashkët me krerët e opozitës në Kosovë.