Lajçak: Statuti i Asociacionit është dokument i brendshëm i Kosovës, s’është e nevojshme që Serbia ta nënshkruajë
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, Aneksit të Implementimit dhe Draft-Statuti të Asociacionin.
Laçak ka thënë se ekipi i tij ka shqyrtuar disa herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ka treguar se ia kanë dhënë Kurtit disa opsione dhe se po presin përgjigje.
Emisari sllovak megjithatë ka thënë se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian s’është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë Statutin e Asociaconit, meqë Drafti është dizajnuar të jetë dokument i brendshëm i Kosovës dhe se me nënshkrimin dhe të Kosovës edhe të Serbisë do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, gjë që Lajçak thotë se s’është.
“Në tetor, të dy liderët shprehën gatishmërinë e tyre në parim për ta pranuar Draft-Statutin evropian për themelimin e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kurti e kushtëzoi pranimin e Statutit me nënshkrimin nga Kosova dhe Serbia të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, aneksit të saj, si dhe të vetë Statutit. Në të njëjtën kohë, Serbia ka paraqitur pyetje shtesë për sqarim. Kështu pra, aktualisht zbatimi është në pritje për shkak të këtyre kërkesave nga palët, dhe po punojmë fort për t’i adresuar ato në cilësinë tonë si lehtësues.Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim, dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre”, ka thënë Lajçak në një intervistë për Gaztën Express.
“Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë. Më lejoni të shtoj edhe një pikë në lidhje me kërkesën e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë Statutin. Sipas pikëpamjes sonë, kjo nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, ka shtuar Lajçak.
“Jemi duke diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit”, u shpreh Lajçak.