Lajçak thotë se ia dorëzoi Kurtit letrat e ujdive me Serbinë
Për tre ditë e dy netë sa qëndroi në Kosovë nuk tregoi detaje të takimit me Albin Kurtin.
Por, tek kur shkoi në Beograd i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, konfirmoi se përveç fjalëve, njeriut që pritet të bëhet kryeministër të hënën e 1 marsit i dha edhe materiale të shkruara midis të cilave ka dëshmi se palët tashmë i kanë finalizuar ujditë për temat e personave të pagjetur, atyre brenda të zhvendosur e për bashkëpunimin ekonomik.
“Këtë dokument dhe disa dokumente tjera ia kam dorëzuar Albin Kurtit, sepse ai duhet të ketë informacione të plota. Për mua ishte e rëndësishme që ai të formulojë tani platformën, programin dhe prioritetet e tij duke u informuar për krejt ato që duhet ditur kur është dialogu në pyetje”, tha mes të tjerash Lajçak në intervistë për televizionin serb N1.
Lajçak arsyetohet se dokumentet në fjalë nuk janë publike, meqë këto ujdi janë pa vlerë deri në momentin kur arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.
Nga Lëvizja Vetëvendosje as nuk mohojnë e as pohojnë pranimin e dokumenteve nga emisari i BE-së, ani se konfirmojnë informimin e tij mbi procesin e dialogut në përgjithësi dhe zhvillimet e deri tanishme në këtë proces pas rifillimit të tij.
“Në të njëjtën kohë Kurti e ka njoftuar Lajçak për prioritetet e qeverisë së re, pra punësimin dhe drejtësinë, dhe mbi atë se cila konsiderohet që mund të jetë qasja ndaj dialogut. Në atë takim të dy janë pajtuar se dialogu është i rëndësishëm dhe se ai duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se ka ujdi fillestare me presidentin serb derisa e përmendi njërën në veçanti që është ajo për personat e pagjetur.
“Kjo është pjesë e marrëveshjes me njohje reciproke të cilën e kemi nisur ne dhe për të cilën kam folur edhe në Kuvend”, tha shefi i qeverisë në detyrë të premten.
Sipas një plani preliminar që e ka përmendur Lajçak, Kurti – nëse bëhet kryeministër i ri i Kosovës – ka shumë gjasë të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel diku në muajin maj.