Lajçaku del me një propozim pas takimeve në Prishtinë
Emisari i special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar sërish për vizitën që ka zhvilluar në Kosovë.
Lajçak ka shkruar “Facebook” se me zëvendëskryeministrin Bislimi ka diskutuar për çështjet urgjente të pazgjidhura që kanë të bëjnë me dialogun.
Sipas Lajçakut, objektiv i takimit me Bislimin ishte vendosja e bazave për një takim të ardhshëm në mes të dy kryenegociatorëve.
Më tutje, ai ka bërë me dije se ka propozuar një agjendë për takimin e ardhshëm, ku fokusi do të jetën “arritja e përparimit të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshjes dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri”.
“Jam kthyer nga Kosova, ku kam udhëtuar për të përcjellë vizitën e fundit me emisarët diplomatikë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Escobar dhe takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel. U takova me zëvendëskryeministrin Bislimi për të diskutuar çështjet urgjente të pazgjidhura që kanë të bëjnë me Dialogun. Objektivi ynë ishte të vendosnim bazat për një takim të ardhshëm të kryenegociatorëve, i cili do të zhvillohet së shpejti. Unë propozova një agjendë të drejtpërdrejtë për takimin e ardhshëm në Bruksel, në përputhje me pritshmëritë e përcjella nga liderët evropianë. Fokusi parësor do të jetë në arritjen e përparimit të menjëhershëm në zbatimin e Marrëveshjes dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën sfiduese në rajonin verior të Kosovës”, ka shkruar Lajçaku.
Ai ka njoftuar edhe për takimet tjera që ka zhvilluar në Kosovë me ambasadorët, komandantin e NATO-s dhe opozitën.
“Krahas diskutimeve të mia me zëvendëskryeministrin, kam informuar edhe shefat e misioneve diplomatike të BE-së me seli në Kosovë. U takova me gjeneralmajor Ulutash, komandantin e misionit të KFOR-it të NATO-s. Biseda jonë u fokusua rreth situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe unë i ofrova atij një përditësim gjithëpërfshirës mbi dialogun dhe negociatat e ardhshme. Unë jam mirënjohës për bashkëpunimin tonë produktiv. Vizitën time e përfundova me një takim me përfaqësuesit e partive opozitare kosovaro-shqiptare. Ne patëm diskutime interaktive për zhvillimet e fundit, si dhe për rrugën përpara në dialog dhe për rrugën e Kosovës për në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Lajçaku.