Lajçaku dhe Borrelli janë të dështuar e të shkarkuar, Kurti të japë dorëheqje
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë të dështuar e të shkarkuar, thotë Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi.
Tahiri e ka quajtur turist emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ajo thotë se kompetencat tashmë i kanë kaluar treshes evropiane, Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni.
Tahiri thotë se Lajçak është dashur të japë dorëheqje.
Të njëjtën e thotë edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që sipas saj, e ka pranuar Asociacionin.
“Lajçak ishte i shkarkuar, ka mbetur njëfarë turist duke shëtitur Kosovën e Bashkimin Evropian. Nuk spekuloj intervista të një ndërmjetësuesi të dështuar siç është Lajçaku, siç është i dështuar edhe kryeministri Kurti, i cili e pati letrën e Bidenit që thoshte se dialogu duhet të fokusohet dhe të rezultojë në njohjen reciproke, e dogji letrën e Bidenit, sot askush s’e përmend”.
“Lajçak është i shkarkuar bashkë me Borrellin. Ka shkuar kompetenca te treshja e madhe, Scholz, Macron, Meloni. Lajçak është dashur të japë dorëheqje, por edhe Kurti duhet të japë dorëheqje. Ai i ka thënë VV-së nuk pranoj Asociacion, tash kur pranoi, duhet të thotë më falni më detyruan, në atë kohë ju premtova… Akti moral është dorëheqja”, tha ajo për Dukagjini.