Lajçaku dhe Escobari sot mbajnë konferencë online në “Zoom”
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmëssekretari Gabriel Escobar, do të mbajnë sot një konferencë për shtyp.
Konferenca e Lajçakut dhe Escobarit do të mbahet përmes platformës online “Zoom”.
Lajçak dhe Escobar kanë ardhur të hënën në Kosovë, dhe kanë takuar Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin.
Pas këtyre takimeve, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan Escobar tha se SHBA-të fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ndërsa, krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti Kurti ka thënë se Serbia është bllokuese e procesit të dialogut dhe sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt.
Të martën, Lajçak dhe Escobar kanë takuar krerët e partive opozitare në vend, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj patën kërkesa dhe pritje identike nga dialogu me Serbinë në takimet e ndara që i patën me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Të ftuar me rend në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj njoftuan pas takimeve me dy diplomatët se aty i kanë shprehur të njëjtat kërkesa. Liderët e tri partive opozitare shprehën mbështetjen e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ndryshe, vizita pesëditore e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia qysh në korrik të vitit 2021 nuk kanë zhvilluar asnjë raund bisedimesh të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.