Lajçaku dhe këshilltarët e rinj nga Gjermania dhe Franca vizitojnë Kosovën dhe Serbinë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më 9 shtator.
Qëllim i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka konfirmuar Stano.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë njoftuar të dielën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u kanë bërë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.
“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, është thënë në letrën e Scholzit dhe Macronit.
Duke folur për “REL”-in, Stano ka thënë se BE-ja “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.
Lajçaku, bashkë me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.
Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.
Më 1 shtator, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.
I pyetur për planifikimin e ndonjë rundi të mundshëm të bisedimeve midis bartësve kryesorë të dialogut, Kurti dhe Vuçiq, Stano ka thënë: “Për këtë, ne gjithmonë duhet të kemi një marrëveshje nga të dyja palët. Kjo do të thotë se ato duhet të bien dakord për kohën dhe agjendën e atij takimi”.
Kurti dhe Vuçiqi janë takuar për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por nga ai takim nuk doli asnjë marrëveshje.