Lajçaku i përgjigjet për herë të parë Kurtit pas akuzave: Kur nuk të pëlqen mesazhi, e sulmon lajmëtarin
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak, për herë të parë ka folur për akuzat e kryeministrit Albin Kurti se po anon nga Serbia në dialogun e Brukselit.
Përveç njëanshmërisë, Lajçaku është pyetur nëse akuzat e Kurti janë problem për të ardhmen e dialogut.
“Kur nuk të pëlqen mesazhi ti provon të sulmosh dërguesin. Kështu funksionon. Dialogu është këtu që nga 2011. Ka pasur qeveri të ndryshme në Kosovë e Serbi, përfaqësues të ndryshëm nga BE-ja por dialogu është e vetmja rrugë, sepse fakti është shumë i thjeshtë – s’ka të ardhme evropiane pa normalizim”, ka thënë Lajçaku në forumin “2BS”, i cili është duke u mbajtur në Budva.
Kurti e ka akuzuar ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë se është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Pas dështimit të rundit të fundit të dialogut në Bruksel, Kurti në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti ka thënë se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.