Lajçaku informon eurodeputetët për “më të rejat” në dialogun Kosovë-Serbi

04 tetor 2023 | 20:56

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në platformën “X” se të martën ka zhvilluar një takim me dy prej grupacioneve më të mëdha në Parlamentin Evropian (PE), të cilëve u ka dhënë detaje për “më të rejat” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

“Informova Aleancën Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Partinë Popullore Evropiane (EEP) mbi zhvillimet e fundit në dialog, dje në Strasburg. Mirënjohës për mundësinë e një diskutimi tërheqës dhe interesin për punën e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme të punojmë së bashku për ta bërë realitet integrimin e rajonit në BE”.

Anëtarët e PE-së kanë zhvilluar të martën një debat në Strasburg për rrjedhën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ku shumica prej tyre kanë drejtuar gishtin kah presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili është mbajtur përgjegjës për përshkallëzimin e fundit të situatës në terren, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Megjithatë, në sytë e tyre, kjo nuk e ka zhveshur nga përgjegjësia as kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është akuzuar për ngecjen e procesit të dialogut. Raundi i fundit i negociatave diplomatike ka përfunduar me pozicione të acaruara dhe, derisa diplomatët evropianë po e humbin gradualisht kontrollin, konflikti ka potencial të arrijë pikën e tij kulmore.

Në debat kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e presidencës spanjolle të Këshillit Evropian (KE), derisa Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka folur në emër të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për shkak të pamundësisë së tij për të qenë prezent, ku ndër të tjera ka thënë se situata në Kosovë është skajshmërisht serioze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka…