Lajçaku: Kemi pritur mirëkuptim më të madh për propozimin e BE-së

20 janar 2023 | 13:21

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para medieve, ka thënë se ky delegacion ka pritur kuptim më të mirë rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, ka pohuar Lajçak sot në Prishtinë.

Ai ka thënë se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti, ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin, siç tha ai, i kishin prezantuar Kurtit në shtator, si dhe më vonë në muajin dhjetor[ të vitit të kaluar].

Lajçak ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.

Paraditen e së premtes, kryeministri Kurti priti në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Francës, Emmanuel Bonne, atë të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Emisarët ndërkombëtarë qëndruan në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në Prishtinë, ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me…