Lajçaku kërkon nga Kosova ta zbatojë marrëveshjen për asociacionin

11 tetor 2020 | 13:13

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova që ta zbatojë marrëveshjen për Asociacion e komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për “Vienerzeitung”, ai ka theksuar se pala e Kosovës vet e ka nënshkruar marrëveshjen dhe se kjo tani duhet të implementohet.

“Tjetër sfidë është marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por s’është implementuar kurrë. Është çështje e ndjeshme në të cilën po ashtu ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe ky opinion duhet të merret parasysh”.

“Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qëllimi i Bashkimit Evropian është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar. S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”, ka thënë Lajçaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe ato pak investime të huaja që vijnë në Kosovë…