Lajçaku nesër vjen në Kosovë
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë nesër (e enjte) në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë me dije për “Radion Evropa e Lirë”, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, ka thënë Stano.
Stano ka përkujtuar se në takimin e fundit i cili është mbajtur më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura.
Duke u ndërlidhur me këtë, Stano ka theksuar se kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që u arrit në kuadër të dialogut.
Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.
Bazuar në të dhënat që posedon BE-ja, Stano ka thënë se vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin në përputhje me marrëveshjen.
Në anën tjetër, Qëndresa Fazliu nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka thënë për “Rel” se kjo ministri është e gatshme të rishqyrtojë qëndrimet e saj dhe të aprovojë eventualisht vizitat në të ardhmen.
“Nëse z. Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Fazliu.
Vizita e Miroslav Lajçakut në Prishtinë vjen pas qëndrimit të tij edhe në Beograd ku ishte takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.