Lajçaku për dialogun: Kalendari aktual politik është një shans për normalizim

02 shtator 2022 | 12:39

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se kalendari aktual politik paraqet një shans unik për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, meqë nuk ka zgjedhje në Kosovë dhe Serbi në dy vitet e ardhshme, mund të jetë një rast i favorshëm.

“Tani kemi një shans unik në kalendarin politik, diçka që nuk e kemi pasur për të paktën dhjetë vjet, e kjo është që nga tani deri në vitin 2024 nuk kemi zgjedhje në Serbi, si dhe në Kosovë. Nuk do të ketë zgjedhje as në Evropë dhe në ShBA”, ka thënë Lajçaku në një intervistë për agjencinë “APA”.

Kjo do të thotë se nuk ka “pengesa në kalendarin politik” dhe se “mund të bëhet përparim i vërtetë”, ka thënë Lajçaku.

“Ky dhe viti i ardhshëm janë vendimtarë dhe unik, dhe do të ishte gabim i madh nëse nuk do ta shfrytëzonin atë dritare kohore”, është shprehur ai.

Më tutje, Lajçaku e ka parë si pozitive mbështetjen e Londrës dhe Uashingtonit për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Edhe pse nuk është më zyrtarisht anëtare e BE-së, Britaninë e Madhe e shoh si pjesë të përpjekjeve të përbashkëta dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me ShBA-në”, ka thënë ai.

Lajçaku e ka konsideruar të rëndësishme dhe pozitive që Vuçiqi dhe Kurti në takimin e gushtit ranë dakord që të takohen rregullisht, një herë në muaj, për të diskutuar “rrugën drejt së ardhmes”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…