Lajçaku për marrëveshje: Nëse deri në mars s’ka përparim, do të gjendet përgjegjësi
Emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk ka afate artificiale për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithatë ka thënë se deri në muajin mars do të kuptohen shumë gjëra.
Marsi, ka thënë ai, është afat ‘natyror’ dhe deri në këtë muaj pritet avancim. Por sipas Lajçak, nëse deri në mars nuk ka përparim, atëherë do të kuptohet se kush është përgjegjësi.
“Nuk jam në favor të përcaktimit të afateve artificiale, por megjithatë kemi afat natyror, sepse deri në mars do ta dijmë a jemi duke avancuar apo jo. Dhe nëse nuk avancojmë do ta kuptojmë pse, kush është fajtor”, ka thënë Lajçak.
Lajçak ka thënë se nëse njëra palë është fajtore për mos-arritjen e një marrëveshjeje, BE do ta ‘sanksionojë’ duke e përkrahur më pak se palën tjetër.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, disa muaj do të duhen për implementim. Prandaj nuk duhet të humbim kohë”, ka thënë tutje ai në Klan Kosova.
Sa i përket pesëshes diplomatike që vizituan Prishtinë dhe Beogradin në javën e kaluar, Lajçak ka thënë se “misioni i së premtes së kaluar me të vërtetë ka qenë i peshës së rëndë”.