Lajçaku: Pres që dialogu të rifillojë së shpejti
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se mandatimi i tij në këtë post është sinjal për interesimin dhe angazhimin e 27 vendeve anëtare për Kosovën.
“27 vendet anëtare të BE-së dërguan sinjal shumë të fuqishëm të interesimit të përtërirë dhe angazhimit me Kosovën dhe vendet e rajonit duke më mandatuar mua në këtë detyrë më 2 prill. Sa herë që bëj diçka përpiqem ta bëjë 100 për qind, prandaj jam i gatshëm dhe përkushtuar që të angazhohem plotësisht që të rifillojmë me dialogun e lehtësuar nga BE-ja pa vonesa të mëtejshme dhe t’iu ndihmoj palëve të punojë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, do të jetë e qëndrueshme, e pranueshme si për rajonin dhe vendet anëtare të BE-së”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se gjatë tri ditëve ka pasur takime shumë konstruktive dhe të dobishme me udhëheqësit politikë të Kosovës.
“Në takimet e mia kam theksuar që Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog dhe se dialogu duhet të vendoset mbi politikën, ashtu siç duhet të vendoset edhe integrimi evropian. Diskutuam për mënyrën se si të ecim përpara që të rifillojmë me shpejtësi përfshirë hapat e ardhshëm shumë konkret me data, metodologji, modalitete, prioritetet dhe pritjet e përgjithshme. Pres që dialogu të rifillojë së shpejti. Meqë do ta vizitoj Beogradin javën e ardhshme planifikoj të diskutoj këto elemente me presidentin Vuçiq në mënyrë që zyrtarisht dhe bashkërisht të mund të shpallim datën e takimit të parë në Bruksel”, ka thënë Lajçak.
(Q.R / Epoka e re)