Lajçaku reagon pas kritikave për hartën ku e paraqiti Kosovën pjesë të Serbisë
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në zyrën e tij mban një hartë në të cilën Kosova dhe Serbia janë të ndara.
Ai këtë reagim e bëri pasi shumë qytetarë të Kosovës dhe përfaqësues politikë, kanë ngritur shqetësimin për një intervistë, në prapavijë të së cilës pretendohej se ishte një hartë e Ballkanit e ku Kosova thuhej se ishte pjesë e Serbisë.
Lajçak ka thënë se janë nxitur keqkuptime të shumta rreth kësaj çështjeje dhe për këtë arsye, ai ka zgjedhur të publikojë disa fotografi të hartës që mban në zyrën e tij.
“Është një hartë zyrtare e BE-së, e Ballkanit Perëndimor. Kosova është aty dhe po ashtu është linja që e ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar Lajçak në “Twitter”.
“Dita e sotme është një shembull se pse dialogu për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kaq i rëndësishëm. Kështu që çështje të ngjashme nuk do të shkaktojnë më keqkuptime”, ka shkruar më tej Lajçak.