Lajçaku shpreson që Kurti dhe Vuçiçi të shfaqin vizion dhe guxim në Bruksel
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën në mbrëmje, një ditë para takimit të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ka theksuar se pret nga liderët politikë të të dyja vendeve të tregojnë vizion dhe guxim.
“Gjithçka është gati për nesër dhe ne shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shkruar diplomati sllovak, ndërsa ka bërë një përmbledhje të “maratonës diplomatike” të javës së fundit.
Ndryshe, pas më shumë se 9 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen sot në Bruksel të Belgjikës për t’i vazhuar negociatat nën kujdesin e BE-së, në përpjekje për të çuar përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën, ndërsa takimi i parë këtë vit zhvillohet në prag të përfundimit të mandatit të zyrtarëve evropianë.
Dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, që kurrsesi t’i nxjerrin vendet e tyre nga situata parakonfliktuale, u takuan për herë të fundit më 14 shtator 2023, por nuk arritën kompromis për mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve. Dy javë më vonë ndodhi sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.