Lajçaku, sot në Beograd, nesër në Prishtinë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot do të shkojë në Beograd, ndërsa një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është paralajmëruar për nesër në drekë.
Lajçaku do të takohet me Vuçiqin sot në orën 12:30.
Presidenca serbe nuk konfirmoi se do të ketë një konferencë të përbashkët, por tha se pas takimit do të dërgohet një komunikatë për medie.
Gjithashtu, nuk janë bërë me dije temat që do të diskutohen, as arsyeja e vizitës.
Por takimi mbahet pak ditë para se të hyjë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës për përjashtimin e dinarit serb si valutë e përdorshme për transaksione në vend.
Komuniteti ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për këtë vendim, duke i kërkuar Kosovës konsultim me komunitetet. Dje, QUINT-i kërkoi pezullimin e këtij vendimi.
Ndërsa të martën Lajça, do të vizitojë Prishtinën, konfirmohet nga burimet mirë të informuara në Bruksel.
Lajçak pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka raportuar RTK.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Është kjo vizita e parë e të dërguarit të veçantë për dialog në këtë vit. Kjo vizitë, gjithashtu, po zhvillohet në periudhën kur procesi i dialogut është duke vegjetuar.
Pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime ne nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut. Ishte ky takim I cili njëkohësisht shfaqi tensionet mes kryeministrit të Kosovës dhe vet Lajçakut, të cilin ky i pari e akuzoi se e ka humbur neutralitetin.
Vizitat që do t’i bëjë Mirosllav Lajçak, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të jetë rast që sërish të kërkohet nga palët që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përfshirë edhe aneksin e saj.