Lajçaku: Takimi i radhës i nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në fillim të shtatorit
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.
Ai ka thënë se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel.
Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.
Ai ka deklaruar se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.
“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, ka thënē Lajçak.