Lajçaku thotë se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit për marrëveshjen e Ohrit
Idërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kryeminsitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i kishte dërguar BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia kishte shprehur rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel dhe aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Në atë letër ishte thënë se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçaku ka thënë se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.
“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, ka thënë Lajçaku.