Lajçaku vjen sot në Prishtinë, kërkon respektim të marrëveshjes së nënshkruar

13 tetor 2020 | 08:13

Dialogu Kosovë – Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është bllokuar për shkak të asociacionit. Pala e Kosovës nuk ka pranuar që të dialogojë për këtë temë, kurse për të njëjtën ka insistuar pala serbe në Beograd. Për t’i pajtuar palët që të kthehen në tavolinë të bisedimeve, në Kosovë sot do të qëndrojë i dërguar i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. Pas vizitës në Prishtinë, Lajçak do të vizitojë edhe Serbinë, shkruan Express.

Lajçaku do të vijë sot në Prishtinë. Lajmin për ardhjen e Lajçakut në Kosovë e ka konfirmuar zyra e kryeministrit. “Po, është e vërtetë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vijë në Kosovë dhe do të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti”, bëjnë me dije nga qeveria.

Lajçak do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti rreth orës 16:30 në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe do të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, por me interes të veçantë pritet të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme të arritura në mes dy shteteve, sidomos marrëveshja për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Ndërkohë, Lajçak të dielën ka kundërshtuar ata që po shprehen se tash nuk është koha e asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai në një intervistë për “Wienerzeitung”.

Ai ka komentuar procesin aktual të dialogut mes dy vendeve duke thënë se janë duke u diskutuar çështje të ndjeshme, për pronat dhe pretendimet financiare. Ka thënë se palët janë pajtuar që të flasin edhe për të pagjeturit dhe të zhvendosurit si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Megjithatë, ai ka thënë se për asgjë s’mund të arrihet pajtim pa u pajtuar për gjithçka.

“Tjetër sfidë është marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por s’është implementuar kurrë. Është çështje e ndjeshme në të cilën, po ashtu, ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai. “Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara. Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar. S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”, ka deklaruar Lajçak.

Çështja e Asociacionit është temë që po kërkohet me ngulm të diskutohet nga pala serbe. Ndërsa për Kosovën po konsiderohet “temë e mbyllur”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë njerëz mendojnë se fituesi i garës presidenciale në SHBA…