Lajçaku: Vuçiqi e kupton seriozitetin e situatës në veri

14 dhjetor 2022 | 16:17

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, “për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës”.

“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka shkruar Lajçaku në “Twitter”.

Lajçaku ka deklaruar kështu pas një takimi që ka zhvilluar në Beograd me Vuçiqin dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë kanë takuar në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçaku ka thënë në Prishtinë se nuk preferon që barrikadat në veri të hiqen me buldozerë, por përmes rrugëve diplomatike.

Takimi vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Gjashtë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor, që bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë aty.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të tyre.

Të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i krahut Gentrit Dumani dhe sulmuesi Marclei Cezar Santos…