Lajçi: Asnjë deputet i Vetëvendosjes nuk e voton demarkacionin
Java e ardhshme pritet t’i japë epilog çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila diskutohet tash e tre vjet.
Ndonëse kjo marrëveshje u soll në Kuvend dhe dështoi dy herë gjatë javës së kaluar (nga mungesa e Listës Serbe në Kuvend dhe nga kundërshtimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta pranuar këtë marrëveshje) është bërë e ditur se gjatë javës së ardhshme, kur edhe do të mbahet seanca për Demarkacionin, Lista Serbe do të jetë në Kuvend dhe do të votojë pro kësaj marrëveshjeje.
Por, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, se ka deputetë të LVV-së që do ta votojnë këtë marrëveshje, përfaqësuesit e këtij subjekti janë zotuar se nuk do to ta bëjnë assesi një gjë të tillë. Përkundrazi, ata kanë mohuar kategorikisht një mundësi të tillë.
Në anën tjetër Ali Lajçi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili në mënyrë unike po vazhdon ta kundërshtojë Marrëveshjen aktuale për Demarkacion me Malin e Zi, ka thënë se do të shohin se a po arrin koalicioni qeverisës javën e ardhshme t’i sigurojë votat, shkruan Zëri.
Ndërsa ka deklaruar edhe një herë se nuk ka gjasa që deputetët e Vetëvendosjes të binden për votë pro kësaj marrëveshjeje.
“Ata po thonë që i kanë votat, por të shohim. Ne jemi unikë dhe nuk ka gjasa njëherë përnjëherë asgjë të ndodhë”, ka thënë ai.
Lajçi tha se votat mund të sigurohen nëse bëjnë pazare me Listën Serbe, por kjo vetëm e keqëson gjendjen politike në vend.
“Në qoftë se ata bëjnë pazare të liga me Listën Serbe dhe u japin shanse atyr, gjendja veç keqësohet dhe nuk është mirë politikisht. Nuk e di se çka do të jetë pazari i tyre.