Lajçi: Gjysma e Kuvendit është e zbrazët, ky është cirk publik
Driton Lajçi, këshilltar i kryetari të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përballur në emisionin “Info Magazine” të “Klan Kosova” me këshilltarin e ish-kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahun, në lidhje me përplasjet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, si dhe rezolutat për dialogun Kosovë-Serbi.
“Situata e fundit të vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019, ku mes tjerash përfshihet përfundimi i dialogut me Serbinë, janë disa prioritete ku duhet të jetë koncentrimi më i madh”.
“Zgjidhjet kërkojnë vazhdimisht zgjedhje, mirëpo duhet nuhatur me seriozitet momentin që ndodhemi, a e kemi luksin financiar dhe a do të ketë përmbysje të madhe në rast të zgjedhjeve. Disa sondazhe që i kemi parë nuk kanë treguar shumë ndryshim”, ka thënë Lajçi.
“Kërkohet o zgjedhje o zgjidhje e problemit final të Kosovës. Unë jam për zgjidhje, sepse zgjedhje do të ketë gjithmonë dhe s’do të ndalen kurrë”, ka thënë Lajçi.
Ai ka thënë se raportet politike të kryeministrit dhe presidentit janë të definuara. “Kushtetuta e Kosovës ia përcakton mandatet secilit”, ka thënë ai.
“Kushtetuta e Kosovës në disa aspekte është pjesë e problemit në vend se të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve. Kushtetua e Kosovës nganjëherë është pengesë e zhvillimit”.
“Nuk është e këndshme për askënd të ketë matje të tilla të fuqisë të cilat shndërrohen në cirk publik ajo çfarë ndodh në parlamentin e Kosovës se kush i ka numrat, paradite pozita, pasdite opozita, gjysma e kuvendit e zbrazët”, ka thënë Lajçi.
Ai ka shtuar se në opozitë me vullnet askush nuk shkon, pasi sipas tij për këtë qytetarët vendosin.
“Opozita duan që të kenë një pikë që e atakon presidentin. Autoriteti i fundit suprem që e ratifikon secilën marrëveshje është Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar mes tjerash këshilltari i Kadri Veselit, Driton Lajçi.