Lajçi: Mostakimi Kurti-Rama nuk shkon në interes të Kosovës dhe të Shqipërisë
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Lajçi, ishte mysafir në RTK ‘Prime’, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për refuzimin e ftesës së kryeministrit Albin Kurti për ta pranuar në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Rama dje u prit në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Lajçi ka thënë se mostakimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryeministrin e Shqipërisë nuk është pamje e mirë.
Sipas tij, kjo e jep një porosi jo të mirë për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai përmendi disa nga proceset që janë shumë të rëndësishme për të dyja vendet, siç janë Ballkani i Hapur, çështja e veriut, Samiti i NATO-s , Samiti i Berlinit dhe disa tema jashtëzakonisht të rëndësishme.
Sipas Lajçit, këto procese kërkojnë unifikim.
“Në vend që ne të bëhemi gati dhe të luajmë lojën në stadium, ne po zihemi në tribuna…si përfundim kjo nuk është një pamje e mirë dhe nuk shkon në interes të Kosovës dhe të Shqipërisë, e as të faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan”, ka thënë Lajçi.