Lajçi: Tërheqja e LDK-së nga protesta, taktikë për shkaqe elektorale
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Ali Lajçi, ka bërë me dije se kjo parti do t’i përkrahë në Kuvend tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai i ka bërë thirrje Qeverisë të jetë e vendosur për t’i dhënë FSK-së karakter ushtarak.
Lajçi ka folur edhe për çështjen e veteranëve të UÇK-së, duke thënë se kaosi i krijuar për këtë kategori mund të zgjidhet përmes ndryshimit të ligjit. Sipas tij, në këtë çështje ka gisht edhe politika.
Duke folur për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, deputeti Lajçi ka vlerësuar se çështja e Kosovës është në rrezik për shkak të tentimeve për të bërë pazare të ndryshme në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.
Ai ka thënë se trendi i këtyre zhvillimeve politike e do edhe një përgjigje nga qytetarët pasi, siç thotë ai, institucionet nuk po e kryejnë punën e vet.
Lajçi ka deklaruar se ndalja e trendëve negativë në dialogun me Serbinë mund të bëhet përmes protestave.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve ta përkrahin protestën e 29 shtatorit të thirrur nga ky subjekt politik meqë, sipas Lajçit, ka mbetur rruga e vetme për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme.
Lajçi ka folur edhe për tërheqjen e LDK-së nga mundësia e bashkëpunimit opozitar, duke e quajtur taktikë të kësaj partie për shkaqe elektorale.
“Epoka e re”: Z. Lajçi, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim t’u kthehet sërish protestave për t’i kundërshtuar zhvillimet politike në vend. Protesta e radhës pritet të mbahet më 29 shtator. Prisni mbështetje qytetare për ta arritur qëllimin final?
Lajçi: Që nga konstituimi i institucioneve është parë se do të ketë krizë të vazhdueshme meqë konstituimi nuk u bë në baza programore, por në baza grupore dhe partiake. Denigrimi institucional po shkon drejt rritjes dhe kemi menaxhim të dobët të vendit. Institucionet po degradohen dhe në tavolinën e bisedimeve po nxirren tema të rrezikshme. Trendi i këtyre zhvillimeve politike e do edhe një përgjigje nga qytetarët sepse institucionet nuk po e kryejnë punën e vet. Nuk funksionojnë as mocionet, as vendimet dhe as rezolutat. Ka ardhur puna që edhe rruga të jetë një prej mundësive për ndryshime në nivel të Kosovës. Ndryshimet janë më së të nevojshme dhe është koha e tyre. Çështja e Kosovës është në rrezik për shkak të tentimeve për të bërë pazare të ndryshme dhe aktualisht po nxirren gjera të rrezikshme. Duhet të reagojmë për ndaljen e këtyre trendëve negativë në dialogun me Serbinë. Fillimisht Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet, pastaj të bisedohet. Nuk mund të vazhdohet kështu sepse vetëm do të kemi zgjatje të krizës. Njohja e pavarësisë dhe forcimi i sovranitetit të Kosovës duhet të jenë primare. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, presim mbështetje të qytetarëve në protestën e 29 shtatorit.
“Epoka e re”: Do të mund t’i mbushni me qytetarë sheshet e kryeqytetit tash që Vetëvendosja nuk e ka fuqinë politike siç e ka pasur në të kaluarën si dhe opozita nuk është e bashkuar siç ka qenë?
Lajçi: Protestën nuk e kemi thirrur në baza partiake. Bazë do të jetë pjesëmarrja e qytetarëve pavarësisht prej përkatësisë partiake të tyre për shkak se kriza aktuale po e rëndon gjendjen e qytetarëve.
“Epoka e re”: Por kjo protestë nuk do ta ketë as mbështetjen e PSD-së dhe as të LDK-së.
Lajçi: Pavarësisht prej deklarimeve të partive politike, qytetarët do të duhej ta mbështesnin protestën. Qytetarët duhet të mendojnë për fatin e vet pavarësisht kush e organizon protestën.
“Epoka e re”: Ndonëse u paralajmërua një mobilizim në mes të partive opozitare për ta rrëzuar Qeverinë, respektivisht për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, një gjë e tillë si duket do të jetë e pamundur pas kundërshtimit që ka bërë LDK-ja si partia më e madhe në vend. Si e shihni këtë tërheqje të LDK-së?
Lajçi: Është çështje taktike e LDK-së për elektorat. Mbase LDK-ja nuk do të duhej të mendonte një gjë të tillë, por për interesin e vendit. Është çështje taktike e LDK-së për shkaqe elektorale. Sidoqoftë, qytetarët nuk do të duhet të bazohen në këtë, por të marrin pjesë në protestë. Do të ishte mirë që LDK-ja të deklarohej për dhe ta thërriste edhe elektoratin e vet në protestë, sepse efekti do të ishte më i mirë.
“Epoka e re”: Si mund ta prisni mbështetjen e LDK-së përderisa lideri i kësaj partie e bëri të qartë se LDK-ja nuk do t’i shkojë pas Vetëvendosjes dhe nuk do të jetë pjesë e protestave. Me këtë përfundimisht shuhen shpresat e një bashkëpunimi LV – LDK?
Lajçi: Sigurisht se bashkëpunim do të ketë, por intensiteti i bashkëpunimeve do të varet shumë prej kohës dhe prej çasteve politike. Tekefundit, ne llogarisim në qytetarët, pse jo edhe në elektoratin e LDK-së.
“Epoka e re”: Por ata po refuzojnë të bashkëpunojnë me LV-në.
Lajçi: Është çështje e taktikave të LDK-së. Pavarësisht prej deklaratave dhe zhvillimeve politike, presim bashkëpunim.
“Epoka e re”: Si e komentoni iniciativën e Qeverisë për miratimin e projektligjeve për transformimin e FSK-së përmes të cilave parashihet që FSK-ja të marrë kompetenca dhe detyra të reja? Do t’i përkrahë Vetëvendosja këto projektligje në Kuvend?
Lajçi: Këto kanë qenë iniciativa të kahershme, por është problem të ndodhë ky proces. Në parim i përkrahim synimet e tilla por, si duket, edhe kjo iniciativë më shumë është elektorale dhe taktikë politike sesa që është përnjëmend. Pa asnjë dilemë do t’i votojmë nëse na i sjellin në Kuvend. U bëjmë thirrje t’i dërgojnë në Kuvend dhe të mos bëjnë politikë me një çështje shumë të rëndësishme siç është themelimi i ushtrisë. Kjo duhet të bëhet, madje po bëhet me vonesë, por Kushtetuta është ai laku në fyt që i pengon proceset dhe e pengon sovranizimin e Kosovës. Prandaj duhen bërë ndryshimet kushtetuese që çojnë drejt sovranitetit dhe jo kthimit prapa. Ushtria duhet të bëhet përmes Kushtetutës në mënyrë që të marrë karakter dhe mision ushtarak. Nuk duhet të eksperimentohet me ushtrinë. Praktikat e deritashme kanë treguar se iniciativat e tilla janë bërë për qëllime politike, prandaj kemi drojë se edhe tani po bëhet për qëllime politike dhe elektorale. Të shpresojmë që kjo iniciativë të jetë e vërtetë dhe FSK-ja të bëhet forcë ushtarake.
“Epoka e re”: Kjo iniciativë mendoni se është bërë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të cilët më herët e kanë kundërshtuar transformimin e FSK-së përmes ligjit?
Lajçi: Transformimi i FSK-së do të duhej të kryhej më herët. Me Kushtetutë FSK-ja merr mision ushtarak, kurse me ligj disa detyra dhe kompetenca, por nuk e çon deri në fund misionin. Qeveria duhet të jetë e vendosur që FSK-së t’i japë karakter ushtarak. Ushtria e Kosovës e balancon paqen në rajon, krijon kushte të reja dhe Kosova është më e sigurt si shtet.
“Epoka e re”: Ju po kërkoni që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, që aktualisht nuk mund të ndodhë.
Lajçi: Ne jemi që FSK-ja të marrë mision ushtarak. Cilido version që vjen në Kuvend, do ta votojmë.
“Epoka e re”: Z. Lajçi, këto ditë në opinion ka bërë bujë publikimi i listave të prokurorisë me veteranët e rrejshëm. Në mesin e tyre aty janë shtuar edhe emrat e disa prej veteranëve të vërtetë. Si e shihni zgjedhjen e kësaj çështje, përmes drejtësisë apo politikës?
Lajçi: Është e vështirë zgjidhja e kësaj çështje sepse është ngatërruar edhe politika. Krizë në këtë proces ka krijuar edhe ligji, prandaj do të duhej të ndryshohet Ligji për veteranët. Ligji për veteranët e UÇK-së duhet të rishikohet në mënyrë që të bëhet një ligj më adekuat. Pas kësaj gjendje edhe mund të bëhet një ligj më adekuat i cili mund të jetë më funksional për rrethanat e krijuara. Është problematizuar shumë kjo çështje, madje me veprimet e fundit është prishur imazhi edhe i institucioneve dhe i veteranëve të UÇK-së.
“Epoka e re”: Konsideroni se politika ka ndërhyrë në rastin e fundit, duke i bërë pjesë të listës së veteranëve të rrejshëm edhe disa emra të veteranëve të vërtetë?
Lajçi: Po, sigurisht, sepse po shihet se ka ngatërresa. Lista e publikuar shihet se ka ndikime nga politika, ani pse thirret në drejtësi dhe prokurori. Është banalizuar çështja e veteranëve, prandaj duhet të rishikohet ligji pa u dëmtuar veteranët e vërtetë.
Shqipe HETEMI