Lajm i keq: Këtë vit s’do të ketë fejesa e martesa me tubime njerëzish

30 prill 2020 | 18:32

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka bërë me dije se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, sipas tij, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërkaq faza e tretë, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës.

Ministri Vitia ka paralajmëruar se këtë vit nuk do të ketë ditëlindje me miq, fejesa e martesa e ndoshta as ceremoni mortore.

“Ky vit nuk është si çdo vit tjetër, e sa më parë që e kuptojmë aq më lehtë do ta kemi. Këtë vit ndoshta nuk do të kemi festime ditëlindjesh me miq; fejesa, ahengje dhe martesa me tubime e nuk do të kemi as ceremoni mortore me tubime. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindjet, fejohemi dhe martohemi, por pa të ftuar e pa grumbullime. Një ceremoni mortore për një jetë njeri rrezikon jetën e dhjetëra të tjerëve, apo kurorëzimi i dashurisë së dy personave mund të kthehet në hidhërimin e qindra të tjerëve. Këtë virus nuk guxojmë ta neglizhojmë sepse na kushton me jetë. Ky vit do të jetë viti i distancës dy metërshe; i dorëzave e i maskave dhe i higjienës në maksimum. Sa më shpejtë që e kuptojmë këtë aq më të përgatitur do të jemi”, ka thënë Vitia.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi presidenti Hashim…