Lajm i keq për Kosovën, lëndohet skitarja Era Shala (Foto)
Fati nuk e ka përcjell Era Shalën në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”.
Përkundër vullnetit të madh të dëshirës për të garuar në një ngjarje të tillë, skitarja e Kosovës me të ardhme të ndritur, sot theu këmbën gjatë përgatitjeve, një ditë para garës debutuese në sllallom të madh.
16-vjeçarja ishte duke u përgatitur në qendrën skitare “Les Diablerets” me trajnerët, Feim Kollçaku e Bujar Turjaka, kur theu këmbën. Menjëherë, në ndihmë i dolën forcat emergjente të mjekësisë zvicerane, të cilat e bartën me helikopter nga qendra skitare në spitalin më të mirë të Lozanës, CHUV.
“KOK-u i uron operim të suksesshëm kampiones tonë dhe rikthim sa më të shpejtë në garat e ardhshme ndërkombëtare. I tërë ekipi Olimpik i Kosovës është në mbështetje të plotë të Erës!”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.