Lajm i mirë, BE-ja lehtëson kufizimet për pushimet verore
11 qershor 2021
| 13:54
Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten që të lehtësojnë kufizimet për udhëtime gjatë verës, ku do të lejohen turistët e vaksinuar plotësisht që të mos u nënshtrohen testeve për koronavirus apo karantinave në rajonin e BE-së.
Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare të bllokut evropian kanë miratuar një propozim të modifikuar të Komisionit Evropian, ku thuhet se njerëzit që janë të vaksinuar plotësisht, mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së, 14 ditë pasi janë imunizuar kundër sëmundjes Covid-19.
Ndërkaq, kufizimet për udhëtarët e tjerë duhet të bazohen në situatën epidemiologjike të shtetit prej nga ata vijnë.