Lajm i mirë nga Kroacia, lirohet nga spitali shtetasi i Kosovës që ishte në kujdes intensiv
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është liruar nga spitali shtetasi i Kosovës që ishte në kujdes intensiv në Kroaci, i cili kishte marrë lëndime të rënda gjatë aksidentit të autobusit ku humbën jetën dhjetë kosovarë.
Sveçla ka thënë se “Gjendja e tij është stabile dhe falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij”.
Njoftimi i plotë:
Një lajm i mirë nga Kroacia,
Blerim Krasniqi, pasagjer në autobusin i cili u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë, pas një periudhe të gjatë në repartin intensiv, sot është liruar nga spitali. Gjendja e tij është stabile dhe falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij.
I kam dërguar letër falënderimi Ministrit të Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Policisë Lokale dhe Krye bashkiakut të Slavonski Brod, për angazhimin e madh në aksidentin që u mori jetën 10 qytetarëve tanë. Kam pranuar përgjigje të menjëhershme me shqetësimin mbi ngjarjen por edhe obligimin që kanë ndjerë për kujdesin ndaj të gjithë qytetarëve të aksidentuar.
Kemi shprehur të dyja palët gatishmërinë për bashkëpunim, me shpresë që do të takohemi në rrethana të tjera të konkretizojmë punët e ti finalizojmë suksesshëm ato.