
Lajm i mirë për Feronikelin, Islami rikthehet brenda muajit
Përparim Islami është duke punuar maksimalisht që të jetë në dispozicion të trajnerit pas një muaji.
Mbrojtësi Përparim Islami në qershor kishte pësuar një lëndim të rënd në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës me Feronikelit dhe Ballkanit. Islami ka thënë të premten për gazetë se është duke punuar maksimalisht që të rikthehet sa me shpejtë që është e mundur.
Mbrojtësi i krahut planifikon që të jetë në dispozicion të trajnerit Klodian Duro pas një muaji. “Pas lëndimin të rënd që kam pësuar, kam filluar ta marrë vetën dalëngadalë. Kam filluar stërvitjet dhe po besoj shumë se mund të rikthehem pas një muaji. Gjenda është stabile dhe kjo me bën optimist për një rikthim të shpejtë”, ka thënë Islami për “Epokën e re”.
Mbrojtësi në fjalë ka falënderuar drejtuesit e klubit nga Drenasi për mbështetjen që i kanë dhënë në këtë kohë të vështirë. “Klubi me ka qëndruar shumë afër gjatë gjithë kohës për çka jam shumë falënderues ndaj tyre. Do të mundohem që me paraqitje të mira dhe pakursyer asgjë si gjithmonë të shpaguaj gjithë atë që kanë bërë për mua”, ka shtuar ai.
Në fund, ish-mbrojtësi i Trepçës ’89 ka thënë se ka arritur marrëveshje me Feronikelin për të vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vite të tjera. “Gjithmonë kam pasur oferta, por Feronikeli ishte zgjedhja e parë. Kam arritur marrëveshje me kryetarin për të qenë pjesë e ‘Niklit’ edhe për dy vite të tjera. Jam i lumtur që do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e këtij klubi të suksesshëm dhe të organizuar siç duhet”, ka deklaruar Islami.
(Veton ZYMBERI)