Lajm i mirë për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Gjermani prej 5 vitesh
Gjermania ka nxjerrë një Projektligji të ri për migracionin që u jep një shans të gjithë atyre personave që kanë pesë vjet që jetojnë në këtë shtet për të marrë leje të përhershme qëndrimi.
E nga ky projektligj pritet të përfitojnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë, të cilët ende nuk e kanë të rregulluar çështjen e leje-qëndrimit në Gjermani.
Detajet lidhur me këtë projektligj i ka sqaruar redaktori i DW-së, Bahri Cani. Aio ka theksuar se është një projektligj i miratuar nga Qeveria gjermane, por jo ende nga Bundestagu. Sipas tij, ky projektligj bëhet i plotfuqishëm pasi të miratohet në Bundestag, gjë e cila pritet të ndodhë në vjeshtë.
“Kryesisht nga ky projektligj përfitojnë azilkërkuesit që janë 5 vjet e më tepër në Gjermani si dhe punëtorët me kualifikime. Azilkërkuesit do të përfitojnë në kuptimin që do të fitojnë një vit mundësie që të gjejnë një vend pune dhe të dëshmojnë disa kushte tjera që duhet të plotësohen për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm. Ndërsa, sa i përket punëtorëve të kualifikuar atyre u mundësohet bashkimi familjar”, ka theksuar Cani për RTK-në.
Sipas tij azilkërkuesit e refuzuar që në Gjermani jetojnë me ‘Dul-Dung’ (leje e përkohshme e qëndrimit), duhet të dëshmojnë se e kanë një vend pune dhe mund të jetojnë pa ndihmën e shtetit dhe se e kanë mësuar gjuhën gjermane.
“Këta persona nuk guxojnë të kenë rënë ndesh me ligjin dhe të paraqesin dokumente të falsifikuara. Derisa sa i përket punëtorëve të kualifikuar ata mund të marrin familjet e tyre menjëherë edhe pa njohjen e gjuhës gjermane”, ka shtuar Cani.
Ai ka theksuar se ky është vetëm hapi i parë i këtij projektligji sepse Gjermania planifikon edhe ndryshime dhe reforma tjera në ligjin e emigracionit.
“Është planifikuar që të bëhet mundësia që njerëzit që duan të marrin nënshtetësinë gjermane të mos heqin dorë nga nënshtetësia e tanishme, siç është tani, derisa do të ketë edhe lehtësime tjera për refugjatët dhe për azilkërkuesit në qasje për tregun e punës. Por, kjo mendohet për të ardhmen”, ka nënvizuar Cani./RTK/