Lajm i mirë për klubin e femrave “Kosova”
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 38-të të radhës, ka marrë vendim për dhënien e autorizimit Klubit të Futbollit “Kosova” që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kryerjen e veprimeve përgatitore për shpronësimin e pronës së paluajtshme në Bërnicë të poshtme, zona kadastrale 71914024.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi është shprehur se: “Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e Sportit në Republikën e Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë, propozova marrjen e Vendimit për dhënien e Autorizimit Klubit ‘Kosova’ për kryerjen e punëve përgatitore me qëllim të përgatitjes së dokumentacionit për shpronësimin e parcelave numër 1190, 1191, 1192, 1193, 1194 dhe 1189 në Bërnicë të poshtme zona kadastrale 71914024. Me këtë vendim, krijohen mundësi në investimet infrastrukturore për sportin në përgjithësi, dhe sportit femëror në veçanti”.
Në ekspozenë e tij, në Mbledhjen e Qeverisë, ministri Gashi, ka arsyetuar se Klubi i femrave i Futbollit “Kosova” në këtë zonë ka pjesë që i ka shfrytëzuar që nga viti 2000 dhe i cili ka bërë investime të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në përgjithësi, dhe sportit femëror në veçanti.