Lajmet e fundit nga vërshimet në Kosovë (Foto)
Reshjet e mëdha të shiut gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë disa komuna, si Malisheva, Drenasi, Fushë-Kosova, Gjakova, Rahoveci dhe Suhareka, raporton “Epoka e re”.
Komuna e Malishevës ka njoftuar se gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por është e menaxhueshme, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati.
“Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, përfshi edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative. Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë. Të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar, por lutem të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës. Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.
Edhe Komuna e Drenasit ka njoftuar të gjithë qytetarët se ekipet emergjente janë dalë në teren që në orët e hershme të mëngjesit për t’i evituar problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut. “Kërkojmë nga ana e qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Ekipet emergjente janë në terren dhe duke u marrë me të gjitha rastet që paraqiten nga ana e qytetarëve, por kërkojmë nga qytetarët të kenë durimin dhe mirëkuptimin, sepse ne të gjitha rastet do të këtë ndërhyrje nga ekipet emergjente për të evituar rastet”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.
Uji i kanalizimit dhe shiut vërshon rrugën në Bresje të Fushë-Kosovës
Dega e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë-Kosovë ka bërë me dije se uji i kanalizimit dhe shiut ka vërshuar rrugën në Bresje të kësaj komune. “Ka kohë që banorët në Bresje të Fushë-Kosovës përballen me problem të vazhdueshëm, ku ujërat e zeza dalin mbi sipërfaqe, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve shiu ka rënduar edhe më shumë situatën. Uji i kanalizimit dhe shiut ka vërshuar tërë rrugën. Ndërtesa ku ka shpërthim të kanalizimit dhe grumbullim të ujit nga shiu, e ndanë vetëm rruga nga objekti i komunës, por zyrtarëve të korruptuar, nuk iu pengon kjo gjë. Kjo situatë po u shkakton telashe edhe bizneseve në atë pjesë”, ka njoftuar PDK-ja në Fushë-Kosovë. Sipas kësaj parti, gjatë verës era bëhet e padurueshme, kurse gjatë kohës me shi dhe borë uji e merr krejt sipërfaqen e rrugës. “Ankesat e banorëve në drejtim të komunës së Fushë-Kosovës, nuk janë marrë parasysh asnjëherë. PDK-ja kërkon nga komuna e Fushë-Kosovës që të veprojë urgjentisht për të sanuar situatën”, ka njoftuar dega e PDK-së në Fushë-Kosovë.
Komuna e Gjakovës krijon komisionin emergjent pas reshjeve të shiut
Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë vazhduar edhe të premten në Komunën e Gjakovës. Komuna e Gjakovës ka njoftuar se të gjithë operatorët janë në terren dhe janë duke u munduar që të sanojnë problemet. “Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese dhe situata të tilla do të mund të na përsëriten. Deri më tani janë raportuar situata të rënduara në hyrje-daljet e qytetit, tek rruga ‘Qazim Bakalli’, tek Ura që lidh Bllokun e Ri me Shkugëzen, kemi bllokim të rrugëve ‘Fehmi Agani’ dhe ‘Gaspër Karaqi’ si dhe paralagjia Brekoc. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto pjesë”, ka njoftuar kjo komunë. Me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është krijuar komisioni emergjent për verifikimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës. “Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, zyrtarë nga Drejtoria për Shërbime Publike kanë deklaruar se ata së bashku me operatorin ekonomik dhe KRM ‘Çabrati’ janë gjatë tërë kohës në terren duke sanuar problemet në zona të ndryshme të komunës. Ky angazhim do të vazhdojë edhe më tutje, deri në normalizimin e tërësishëm të situatës”, ka njoftuar Komuna e Gjakovës.
Veliu ka kërkuar nga AME ta ngritë nivelin e të gatishmërisë në nivel kombëtar
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes në terren, ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të gatishmërisë në nivel kombëtar. “Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut. Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave. Në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll. AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete. MPB-ja do të informoi qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale”, ka njoftuar MPB-ja.
Tahiri: Qeveria është duke e përcjell nga afër situatën me vërshimet
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke e përcjell nga afër situatën me vërshimet në komuna të ndryshme. “Tashmë jemi në koordinim të ngushtë Qendrën e Situatave, me komunat dhe institucionet qendrore për menaxhimin e situatës. I sigurojmë qytetarët se do t’iu qëndrojmë afër dhe u kërkojmë që jenë edhe vet të mobilizuar që situata të jetë më e menaxhueshme!”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Instituti Hidrometeorologjik kishte paralajmëruar për vërshime
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës më 6 janar kishte paralajmëruar për vërshime të shpejta në vendin tonë. “Reshjet e shiut, të cilat pritet të fillojnë gjatë orëve të pasdites së datës 06/01/2021, me intensitet mastarë deri të lartë, fillimisht do të përfshinë pjesën perëndimore të vendit (zonën malore të Alpeve Shqiptare), të cilat në vazhdim do të përfshinë rrafshin e Dukagjinit dhe pjesë të tjera të vendit. Kjo situatë do të vazhdojë për disa ditë (09/01/2021), ku si pasojë e intensitetit më të lartë të tyre, në disa zona mund të paraqiten vërshime të shpejta, të cilat potencialisht shkaktojnë ngritje të shpejta të nivelit të ujit nëpër lumenj e sidomos nëpër rrjedhat ujore të cilat kanë karakter të rrëkeve”, ka njoftuar IHK-ja.
Sipas këtij instituti, nëpër lumenjtë kryesorë do të ketë ngritje të lehët të niveleve gjatë ditëve në vijim, ndërsa rrjedhat me karakter malor dhe ato të rrëmbyeshme do të paraqesin mundësi të vërshime të shpejta dhe vështirësi nëpër zonat/vendbanimet ku ato kalojnë.
(Qendresa RAMA / Epoka e re)