Lajmet e ngutshme dhe të pa verifikuara, sëmundja më e madhe e portaleve kosovare

09 janar 2019 | 12:08

Nga Musa Sabedini

Jam i brengosur dhe gjithsesi i shqetësuar me mungesën e përgjegjësisë profesionale të portaleve serioze, kur është në pyetje lajmi i plasuar ngutshëm, pa i verifikuar burimet dhe pa dhënë detaje përcjellëse të mëvonshme, duke mos përjashtuar edhe kërkim faljen kur e vërteta del të jetë ndryshe. Gazetaria amerikane e ka një thënie të vlefshme dhe të domosdoshme edhe sot për gazetarinë tonë: “Edhe nëna kur të thotë të dua, verifikoje”. Kolegë të nderuar, kjo nënkupton se informacionet duhet të verifikohen patjetër, para se ato të publikohen.

Jo vetëm rasti i eskortës së ministrit të brendshëm Ekrem Mustafa dhe mënyra se si u raportua për pak minuta nga portalet tona, krijojnë shqetësim për mua, por janë edhe qindra lajme të tjera që lexojmë çdo ditë, të paverifikuara, qëllimisht të plasuara, duke i bërë dëm të madh etik gazetarisë së mirëfilltë online.

“Aksidentohet eskorta e ministrit të Punëve të Brendshëm”, “Aksidentohet ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, jepen detaje”, “S’është aksidentuar ministri Mustafa, mirëpo këta zyrtarë të MPB-së”.

Vetëm nëse i lexon këta tre tituj, nuk të duhet më shumë për të kuptuar se sa dëm i bëjmë gazetarisë me këtë mënyrë të të raportuarit. Gazetaria online i ka kriteret e saj, e ka standardin e saj të raportimit, që nëse e respektojnë kolegët e mi, nuk e kanë problem ta zhvillojnë dhe avancojnë gazetarinë e mirëfilltë online.

Më herët e kishim rastin e policëve të Kaçanikut, një rast skandaloz dhe një raportim i ulët dhe i papërgjegjshëm i medias online. Mediat online në Kosovë, para se gjithash, duhet ta përdorin ose “shijojnë” maksimën e njohur në gazetarinë hulumtuese: “Hulumto, verifiko, raporto”. Amerikanët e kanë një thënie edhe më të fuqishme: ”Edhe nëna kur thotë të dua, verifikoje”. E shihni pra sa e përgjegjshme dhe sa larg shkon standardi për të raportuar drejtë, për të raportuar në mënyrë korrekte, të balancuar, pa i lënduar njerëzit, viktimat, pjesëmarrësit dhe pa u nxjerr telashe burimeve tona të përditshme.

Lajmi është i besueshëm, i saktë, i paanshëm dhe i dobishëm për shoqërinë nëse është bazuar në kriteret esenciale. Lajmit i duhet argument, fuqi dhe besueshmëri. Dhe kush e bënë këtë që lajmi të duket i fuqishëm? Mendja dhe dija e gazetarit, sepse ai është përgjegjësi kryesor, nëse lajmi do të pëlqehet nga lexuesi ose edhe nëse lajmi do të keqkuptohet nga audienca.

Unë nuk dëshiroj të besoj që portalet serioze dhe kryesore në Kosovë, ende e kanë në mendje vrapin pas “like”-ve ose titujve bombastik e paragjykues. Shpresoj se këto ethe amatorske t`i kenë tejkaluar, për t`u kthyer në zanatin e tyre delikat dhe kredibil.

Në kohën e tanishme ekzistojnë rrethana favorizuese për të arritur deri tek burimi dhe deri tek e vërteta. Gazetaria duhet të bazohet tek vërtetësia, duke e thënë të vërtetën edhe kur ajo dikujt i dhemb. Mediat kanë përgjegjësi të shumëfishtë para publikut, edukuesve tanë dhe para gjeneratave të ardhshme. Mirë që kërkohet falje për lajmet e nxituara, por kjo nuk është e mjaftueshme. Besoj shumë se Kosova ka redaktorë të mirë, editorë të përkushtuar, sikurse edhe redaksi të ndërtuara në koncepte profesionale të të bërit gazetari. Atëherë na mbetet vetëm përgjegjësia individuale e mënyrës së raportimit, por kjo shpesh po na hakmerret.

Në këtë “hallakamë” të lajmeve të pa verifikuara, nuk po i llogarisë disa media që funksionojnë vetëm në rrjetet sociale, sepse ato janë të krijuara si të tilla për të dhënë enkas lajme të rrejshme dhe të çoroditura.

Befasohem shumë kur dëgjojë lloj-lloj gjuhëtari e eksperti kur flet për median online.
Nuk mund të flasin për funksionimin e medieve online ata “ekspertë” që kurrë në jetën e tyre s`e kanë përjetuar qëndrimin ulur 24 orë para kompjuterit dhe sfidën tjetër që të kontrollosh portalin dhe editimin e lajmeve.

Për funksionimin e portaleve mund të flasin ata që e përjetojnë çdo ditë presionin që sjellin lajmet e shpejta dhe ngjarjet e shumta. Nuk është aq e lehtë të flitet për një sektor që vërtet kërkon angazhim, këmbëngulësi dhe sakrificë. Tek ne, fatkeqësisht, për portalet flasin njerëzit që lidhje nuk kanë e as që kanë pasur ndonjëherë me profesionin e gazetarisë.

Andaj, të flasësh për funksionimin e portaleve dhe të tregosh për gjendjen e tyre praktike, duhet shumë eksperiencë, energji dhe pozitivitet profesional, sepse media online ose “gazetaria online”, tashmë ka marr hov dhe po e “çmend” botën me lajme të shpejta, të freskëta, të dhëna në kohë, të shoqëruar me fotografi, tituj, strukturë, përmbajtje dhe në veçanti të ndërtuara mbi standardet e raportimit.

Por jo gjithherë flitet me një pozitivitet për median online. Edhe gazetaria online i ka të metat e saja, i ka gabimet trashanike të shumta dhe pothuajse të përditshme. Kjo vije si pasojë e mangësisë së vetërregullimit të portaleve.

Pas shumë përpjekjeve edhe në Kosovë lindi nevoja që portalet, që llogaritet se janë rreth 400 sosh, të kenë një ombrellë ku ato mbrohen nga jo profesionalizimi dhe ata që sulmohen nga mungesa e etikës së portaleve të marrin një përgjigje në ankesat e tyre.

Vetërregullimi është i rëndësishëm për median online

Vet fakti që lajmet nga portalet plasohen brenda pak sekondave, duke llogaritur këtu edhe shpërndarjen e lajmeve nëpër rrjetet sociale, tregon qartazi se media online ka nevojë për një përkujdesje dhe monitorim më të madh profesional.

Me lindjen e portaleve të shumta në Kosovë, lindi edhe ideja nga një grup i redaktorëve dhe gazetarëve profesionistë që të ekzistoj një vetë-rregullim profesional dhe etik i këtyre mediave.

Vetërregullimi është i rëndësishëm për median online sepse ajo ka fuqinë të shkaktojë ndryshim: të mendësisë, sjelljes, politikës, jetës.

Nëse media dëshiron të jetë shtysë e ndryshimit, ajo vetë duhet të jetë mjaftueshëm e përgjegjshme sa të ndryshojë dhe të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme. Pikëpamjet mbi vetërregullimin e medias ndryshojnë nga kultura në kulturë dhe nga një kontinent në tjetrin. Në shoqëritë e mbyllura apo në tranzicion, çështja shihet më shumë si çështje avokatie. Vetërregullimi funksionon në radhë të parë për mbrojtjen e medias nga censura politike, varësia ekonomike dhe çështjet e superkushtueshme në gjykatë.

Të tjerët e shohin vetërregullimin e medias si një mjet edukues, si për gazetarët, meqenëse imponon standarde të larta profesionale, ashtu edhe për publikun, meqenëse kërkon alfabetizëm mediatik më vigjilent. Së fundi, jo për nga rëndësia, vetërregullimi shihet si një mjet për llogaridhënien e medias, e cila është aq e nevojshme dhe e rëndësishme, nëse duam që të ketë besim tek media.

Vetërregullimi mbron të drejtën e gazetarëve për të qenë të pavarur dhe të paanshëm, si dhe për t’u gjykuar për gabimet profesionale, jo prej atyre që janë në pushtet, por prej kolegëve të tyre.

Ai synon të vendosë standardet minimale të saktësisë, etikës profesionale, mbrojtjes së privatësisë dhe të tjera të drejta personale, duke ruajtur lirinë editoriale dhe lirinë e fjalës, si edhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve dhe opinioneve. Vetë-rregullimi i medias përfshin redaktorët, profesionistët e medias, gazetarët dhe shoqërinë civile si konsumatorët kryesorë të medias. (Burimi-http://agk-ks.org/udhezues-per-veterregullimin-e-mediave/

Gazetaria e “like”-ve po e dëmton gazetarinë dhe shoqërinë

Shpejtësia e lajmeve në portale ka disa të mira dhe anë negative. Realisht, rrjetet sociale dhe shpërthimi i teknologjisë e ka ndryshuar realitetin mediatik edhe në Kosovë. Nuk guxoj të them se media online është më e pranueshmja për publikun, por mund të them me shumë kompetencë se ajo është më masivja, më e thjeshta dhe më e depërtueshmja.

Media online vazhdon të vuaj nga mungesa e gazetarëve të përkushtuar dhe nga mungesa e redaksive që synim primar kanë informimin e publikut

Andaj në portalet tona kemi mungesën e informacionit të nevojshëm, e shumë të kërkuar, kemi pak lajme nga fusha e edukimit, sigurisë, anës sociale, kulturës, etj.

Por cili është dëmi që po pësojmë?

Mendoj se janë dy më të rëndët. Shkatërrimi i gazetarisë dhe shkatërrimi (keqedukimi) i shoqërisë. Joseph Pulitzer, më shumë se një shekull më parë, ka thënë: “Një shtyp cinik, mercenar, demagog, me kalimin e kohës do të prodhojë një popull po aq të ulët sa vetja e vet”.

…………………………….

(Autori është gazetar dhe profesor i gazetarisë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-26 vjet nga vdekja e heroit Izmi Zeka Në kapitujt…