Lajmi i fundit: Vrasje në Zahaq të Pejës
Një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Zahaq të Pejës.
Lajmi është konfirmuar nga Shkodran Nikçi nga Zyra e Prokurorisë në Pejë.
Sipas tij, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes mbrëmë pas mesnate ku kanë hasur në një trup të pajetë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Me datën 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.
Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin.
Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.
Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore.
Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm.