Lajmi për humbjen e Aliut dhe varrimi i tij

01 qershor 2024 | 17:47

Ali Ajeti – vigjilenti liridashës (3)

(Në 35- vjetorin e rënies heroike)

Basrie Murati-Sakiri

Me t’u errësuar, dikush nga shokët më tha të shkoja te shtëpia e Hafie Zebicës, një shoqe e imja gjimnazi, shtëpia e së cilës ishte afër, që t’i dëgjoja lajmet. Kur arrita atje, prindërit e saj ishin shumë të shqetësuar nga lajmet që kishin dëgjuar gjatë ditës edhe nga fakti se ajo ende nuk ishte kthyer nga shkolla. Në lajme ishte bërë e ditur se pas demonstratës kishte pasur përleshje të armatosura. Ky lajm më tronditi dhe nga shqetësimi nuk më pritej derisa të dëgjoja lajmet me veshët e mi. Për demonstratën që u mbajt në Podujevë, lajmi qe shumë i shkurtër. Spikerja raportoi, se pas demonstratës që ishte zhvilluar në qytet, policia kishte rrethuar Shtedimin dhe fshatërat përreth, ku kishte pasur shkëmbim zjarri nga të dy palët. Në fushat e Shtedimit kishte rënë një demonstrues me emrin Arben Ajeti. Supozohej se kishte edhe shumë të plagosur.
Lajmi për vrasjen e Arben Ajetit më shtangu. Menjëherë më ra ndërmend se Aliu e mbante me vete letërnjoftimin e vëllait të tij që e quanin Arben. Prapë nuk i besoja ose më mirë të them nuk doja të besoja. Mos e tha spikerja gabimisht? Qëndrova deri në fund të lajmeve. Ajo përsëriti se ai ishte vrarë në rezistencë e sipër me policët.
Ta humbnim Aliun, shokun tonë më të mirë?! E pabesueshme! Përnjëherë më dilte përpara, se sa i gjallë, i mençur e trim ishte ai. Për shkak të tronditjes nuk di se si jam përshëndetur me prindërit e Hafies dhe si kam dalë nga dyertë e oborrit. Derisa kam arritur te shokët, hapat më janë dukur shumë të rëndë e lavrat e arave nëpër të cilat ecja edhe më të thella se më parë. Kështu që ai udhëtim prej 300-400 metrash më është dukur i pafund. Kur kam arritur te shokët, ata menjëherë më pyetën të shqetësuar:
“Çka ka të re?” Unë s’mund të nxirrja zë nga goja.
Por ata vazhduan të pyesin: “Çka ka ndodhur? Pse u vonove?”.
Nuk e di se ku e gjeta forcën për t’ua përcjell lajmin e hidhur: “Në Shtedim kishte pasur përleshje në mes të policisë e demonstruesve. Kishte edhe të plagosur. Ndër demonstruesit ishte edhe një i vrarë që e quanin Arben!”
Pastaj nuk kam mundur të nxjerrë zë.
“Ueh, na e paskan vra Aliun, bre!”, tha njëri prej shokëve. Në atë moment asnjëri prej nesh nuk ka mundur të nxirrte fjalë nga goja.
E ndjenim vehten shumë keq që nuk ishim afër shokëve tanë t‘u vinim në ndihmë dhe mbështetje. Si t’ia bënim? Pasi nuk shihnim rrugëdalje tjetër, ngase rreziku ishte tejet i madh, vendosëm të shkonim në një bazë në hyrje të qytetit. Ecnim me sytë katër duke përgjuar se mos na vërente njeri, ose mos binim në duartë e policisë. Një burrë bujar na priti në shtëpinë e tij. Ai ishte mësuar me pranimin e ilegalëve. Sapo u ulëm, nisi të përlotej dhe nëpër ata lotë na ngushëlloi për humbjen e Aliut. Aliun e “Mësuesin” nuk i lëshonte nga goja, sepse ata të dytë kishin qenë përpara disa herë të strehuar tek ai. Ai shprehu shqetësimin se mos ishte plagosur edhe “Mësuesi” (siç i thoshte ai Sabri Kiçmarit). Varur në një varëse, më ranë në sy disa nga rrobat e Aliut dhe përnjëherë m’u duk se e pashë edhe atë. Por, jo! Ai ishte vrarë nga plumbat e armikut gjakpirës. Aliu kishte rënë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.
Atë natë nuk kemi fjetur deri vonë. Qetësinë e prishnin vetëm i zoti i shtëpisë, Ramush Fazlia dhe dhëndërri i tij, të cilët na shoqëronin dhe mundoheshin të na largonin dhembjen që kishim për Aliun. Njëkohësisht, nuk e dinim se ku gjindeshin e ç’kishte ndodhur me Sabri Kiçmarin, Safet Ajetin e shumë nxënës të tjerë, të cilët nuk ishin ilegalë por që kishin qenë me ne në demonstratë. Atë natë vendosëm të bënim roje, sepse ishte natë e rrezikshme. Nuk besoj të ketë mbyllur sy ndokush prej nesh. Ishim të mërzitur për rënien e Aliut, por edhe të shqetësuar për fatin e shumë të tjerëve. Agimi gdhiu shumë ngadalë atë natë.
E vështirë qe nata e 30 majit për ne, por edhe më e vështirë ishte e nesërmja. Atë ditë e varrosnin shokun tonë Aliun, deri sa ne ishim të detyruar të qëndronim brenda atyre mureve, që na dukeshin gjithnje e më të ngushta. Baca Ramush me dhëndërin e tij shkuan në varrim, kurse ne mbetëm brenda. Nuk mbaj mend të kem pasur ditë më të vështirë deri atëherë. Asnjë prej neve nuk nxirrte zë nga goja. Mbretëronte heshtje varri. Shpirtërisht ne morëm pjesë në varrim edhe pse fizikisht ishte e pamundur.
Në mbrëmje, të dy burrat u kthyen dhe na treguan për varrimin e mahnitshëm, që iu kishte organizuar Aliut. Mijëra vetë kishin marrë pjesë. Të gjithë kishin qenë krenarë për dëshmorin, i cili kishte rënë heroikisht duke mbrojtur flamurin dhe shokët. Por, dhembja shpirtërore ishte e madhe, sepse kishin humbur një burrë trim e vigjilent. Shumë nga të pranishmit ishin betuar se do ta vazhdonin rrugën e tij deri në fitore. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Aliu ra, por mijëra të tjerë u ngritën. Mbi të gjitha u kishte lënë përshtypje trupi i mbështjellë me flamur dhe qëndresa e prindërve të Aliut, sidomos e nënës. Gjatë varrimit ishin lexuar nekrologji. Edhe aty kishte ndërhyrë policia, sepse kishin dyshuar se edhe ne mund të merrnim pjesë në varrim.
“Ah, gjakpirës!”, shfryva me vete.

Si kishte rënë Aliu, dëshmori ynë i ri?

Vdekja e Aliut qe e vështirë për ne, mirëpo fakti se nuk kishim asnjë lajm për Bajramin, Sabriun, Safetin e shokët tjerë, nuk ishte më e lehtë. Meraku për ta vetëm sa rritej, sepse askush nga ne nuk dinte se ku mund të ishin ata. Mos ishin të plagosur apo mos i kishte arrestuar policia? A kishin mundur të strehoheshin gjëkundi? Ky ankth zgjati dy ditë, deri atëherë, kur Sabriu e Safeti erdhën tek ne. Së pari i shprehëm ngushëllime njëri-tjetrit për Aliun.
“Të fala iu ka bërë Aliu! Ai ka vdekur në duart e mia. Fjalët e tij të fundit ishin: “Kosova Republikë!” dhe “Të fala shokëve!”, na tha Sabri Kiçmari pastaj. Në atë moment asnjëri prej neve nuk mundi t’i fsheh lotët. Aliu ishte idoli ynë dhe e donim sikur ta kishim vëlla. Sabriu vazhdoi më tutje të tregonte se si kishte rënë dëshmori ynë: Sapo ishin ndarë nga ne, ata qenë tërhequr në drejtim të daljes së qytetit. Policia u ishin vërsulur si të tërbuar pas. Safeti e kishte mbajtur lart flamurin e shpalosur, prandaj policët i kishin ndjekur. Nga aty kishin ikur në drejtim të Mirocit, me qëllim që të strehoheshin diku në mal. Mirëpo policia u ishte vërsulur mbrapa dhe i kishte ndjekur deri atje. Në hyrje të fshatit Shtedim kishin ardhur mbrapa me shpejtësi dy-tri makina policie, të cilët kishin shtënë me automatikë. Me Sabriun e Safetin kishin qenë edhe shtatë-tetë nxënës, në mos më shumë e ndër ta edhe Nazmi Ajeti, i cili deri atëherë ka vepëruar legal për lirinë e Kosovës. Pasi e kishin vërejtur se policia nuk hiqte dorë, por i ndiqte edhe më tej, të gjithë kishin hyrë në një arë me grurë. Policët kishin gjuajtur me armë zjarri në drejtimin e tyre. Sabriu dhe Aliu kishin qenë të detyruar t’ua kthenin gjuajtjen në vetëmbrojtje. Ndërkohë policët shqiptarë ishin barrikaduar pas autoblindave dhe kishin vazhduar të gjuanin pandërprerë. Një nga rafalët vdekjeprurës e kishte qëlluar Aliun tonë në pjesën e poshtme të barkut. Ai në fillim nuk e kishte vërejtur. Nga ngjyra e verdhë që i kishte marrë fytyra, Sabriu e kishte pyetur:
“Ali, çka u ba bre?”
“Nuk e di Sabri, po diçka trupi m’u nxe”, ia kishte kthyer ai. Dhe vetëm atëherë Aliu e kishte vërejtur se e kishte marrë plumbi dhe përnjëherë ishte rrëzuar përtokë. Sabriu me Nazmiun iu kishin afruar dhe e kishin vërejtur se ai ishte plagosur rëndë. Ai ishte përmbajtur edhe pse kishte pasur gjakderdhje të madhe. Dhe pasi nuk kishte mundur të lëvizte më, u kishte thënë atyre, se ata duhet të iknin dhe ta linin atë aty, duke mos rrezikuar më gjatë. Këta të dy nuk kishin pranuar në asnjë mënyrë.
Pas plagosjes së Aliut, Sabriu ia kishte dhënë Nazmiut automatikun e tij. Nazmiu ishte munduar t’i mbrojë ata të dy, deri sa Sabriu e kishte mbajtur për krahu Aliun dhe e kishte tërhequr disa dhjetëra metra. Papritmas Nazmiut nuk i kishte funksionuar më automatiku, ngase i kishte rënë karikatori. Kot ishte munduar ta gjejë në arë të grurit. Sabriu e kishte thirrur Nazmiun të kthehej, sepse rreziku të qëllohej edhe ai nga plumbat e armikut ishte ende i madh. Edhe njëherë ishin munduar së bashku ta tërheqin Aliun, por ai i kishin ndalur dhe lutur ta linin aty, sepse nuk mundej më, ngase kishte humbur shumë gjakë. Edhe ata e kishin vërejtur se Aliu ishte dobësuar. Në atë moment ai u kishte thënë: “Automatikun mos ma lini këtu, nuk dua të bjerë në duar të armikut!”, pastaj kishte brohoritur: “Kosova Republikë!” dhe “Të fala shokëve!”. Sabriu e kishte hequr pallton e vet dhe e kishte mbuluar. Ai i kishte mbyllur sytë dhe në duartë e shokëve e kishte lënë frymën e fundit.
Me dhembje të madhe shpirtërore ishin detyruar ta lënë Aliun prapa e të tërhiqeshin. Ndryshe nuk kishin pasur si të vepronin, sepse policët ishin vërsulur mbrapa duke gjuajtur. Nga rafalët e plumbave, gruri kishte rënë përtokë. Nazmiu ishte bashkuar me nxënësit, të cilët kishin hyrë në një oborr të një shtëpie për t’u fshehur. Ata kishin qëndruar aty, derisa kishte pushuar zjarri i armëve. E pasi kishin marr guximin të dilnin jashtë, kishin marr drejtimin e Ballocit dhe ishin larguar nga aty. Ndërsa Sabriu ishte bashkuar me Safetin, ku me shumë mundime kishin arritur të hynin në një mal dhe ishin strehuar afër një përroske. Ndërkohë regjimi kishte rrethuar me tanke e njësi speciale Mirocin, Shtedimin dhe fshatrat përreth.
Pasi që na tregoi se si kishte ndodhur e tërë ajo ngjarje, Sabriu tha se kishte ardhur vendimi nga lart: Ne duhej të largoheshim nga Atdheu! Armiku ishte tërbuar shumë dhe nuk kursente asgjë për të na zënë. I hidhur qe tregimi i rënies së Aliut, por edhe lajmi për largim nuk qe më pak i hidhur për ne. Në atë kohë të arratisesh nga Atdheu ishte gati sikur të vdisje.
(Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet jugore të Bavarisë dhe Baden-Württemberg janë përmbytur, duke shkaktuar…