Lajmi për kthimin e shtetasve kosovarë nga Siria, bujë në mediat e huaja
Kthimi i shtetasve kosovarë që gjendeshin në vatrat e luftës në Siri, është bërë lajm edhe në disa prej medieve të njohura ndërkombëtare.
Reutersi shkruan se më shumë se 300 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në Siri që nga viti 2012, ndërsa 70 burra që luftuan së bashku me grupet militante, janë vrarë.
Edhe Euronews ka raportuar se si të premten rreth mesnate, një aeroplan nga Stambolli ka kthyer në Kosovë së paku 30 gra e fëmijë kosovarë, që për vite të tëra kishin qëndruar në kampe në Siri.
Vëmendje, kthimit të shtetasve kosovarë nga Siria, i ka kushtuar edhe portali britanik ‘Daily Star’.
Ndërsa, edhe mediet arabe kanë raportuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Portali ‘Gulf Today’, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, lajmin për kthimin e kosovarëve e ka shoqëruar me një fotografi të një kampi në veri të Sirisë.
Kthimi i personave që i janë bashkangjitur luftës në Siri, ka ngjallur debat nëpër Evropë.
Disa shtete kanë kërkuar që të kthyerit të ndiqen penalisht, derisa në Britani, disa prej të kthyerve, u është hequr nënshtetësia./KTV