Lajmi pozitiv për vizat do të vije shumë shpejt
Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka organizuar një bashkëbisedim me të rinj në të cilin kanë marrë pjesë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ministrja e MIE-së, Dhurata Hoxha dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), Nataliya Apostolova.
Gjatë këtij bashkëbisedimi kryeministrin Haradinaj ka thënë se Kosova shpejt do të jetë pjesë e familjes evropiane.
“Raporti i Progresit është konfirmim se Kosova është në hartë, jemi më të vonuar, por jo të pabarabartë. Ne jemi në një etapë që kanë kaluar edhe vendet e tjera. Edhe ata kanë kaluar rrugës tonë. Dua të falënderoj edhe institucionet e BE-së, sepse kanë treguar më shumë ndihmë për ne”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Haradinaj ka theksuar se Kosova shumë shpejt do ta merr lajmin për heqjen e vizave.
“Krejt kjo është njëfarë lige që Kosova duhet të kualifikohet në të. Të rinjtë duhet të dinë që ne do t’i takojmë një familje më të madhe, do të na prishet rehatia. Këtë vit do ta marrim lajmin e merituar për liberalizim, mirëpo nuk duhet të shkoj gjatë edhe statusi i kandidatit. Ne nuk guxojmë të shkojmë në asnjë drejtim që nuk respekton të drejtat gjinore. Mediet duhet me qenë të zotë. Kur vjen liberalizimi, kurdo që vjen, prapë nuk duhet të ikim nga Kosova”, ka thënë Haradinaj.
Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se liberalizimi nuk është arsye për të ikur nga Kosova.
“Liberalizimi do të thotë shans e mundësi, por jo për të ikur jashtë sepse nuk kemi sakrifikuar për të ikur. Duhet t’i heqim barrierat psikologjike”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
“Dua të përsërisë që e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, por kjo nënkupton që duhet të bëjmë shumë punë që Kosovën ta bëjmë vend me perspektivë të ndritur. Rinia jonë është duke na bërë krenarë, kemi studentë që po na bëjnë krenarë”, ka thënë Hoxha.
/Epoka e re/