Lakersat mposhten nga Milwaukee
Janë zhvilluar vetëm katër ndeshje në NBA, ku veçohen dy përballje të mëdha, një mes Los Angeles Lakers e Milwaukee Bucks dhe tjetra mes Houston Rockets dhe Los Angeles Clippers.
Në takimin e parë të zhvilluar në “Fiserv Forum” të Milwaukeet, skuadra nga Wisconsin fitoi 111-104 përballë kalifornianëve të dyshes së famshme Davis-James. Protagonist absolut Giannis Antetokounmpo me 34 pikë 11 “rebound” dhe 7 asistime, ndërsa për Lakersat nuk mjaftuan 36 pikë të Anthony Davis dhe “triple double” i Lebron, 21 pikë, 12 “rebound” e 11 asistime.
Përtej humbjes, Los Angeles Lakers mbeten në krye të Konferencës së Perëndimit me 3 fitore më shumë sesa Clippers, që gjithashtu nuk arritën të dilnin triumfues përballë Houston Rockets, në takimin e zhvilluar në “Staples Center”. Teksanet triumfuan 117-122 fale një përmbysjeje fantastike në 20 minutat e fundit të lojës. Vendimtar Russell Westbrook me plot 40 pikë e 10 “rebound”, çka përbën dhe rekordin personal të pikëve me fanellën e Rockets, ndërsa James Harden e mbylli me 28 pikë e 10 asistime, duke marrë rolin e violinës së dytë, të paktën për një natë. Në radhët e Clippers më i miri mbi parket, pavarësisht humbjes, ishte Paul George me 34 pikë, ndërsa Kawhi Leonard realizoi 25 pikë. Në dy takimet e tjera, Utah Jazz fituan 106-111 në shtëpinë e Atlanta Hawks me 30 pikë të Donovan Mitchell, ndërsa San Antonio Spurs arritën të përmbysnin në pjesën e dytë Brooklyn Nets 118-105, duke mos u dhënë vlerë 41 pikëve të Spencer Dinwiddie. Për Spurs Mills dhe Aldridge realizuan respektivisht 27 dhe 20 pikë. /SS/
Rezultatet
LA Lakers – Milwaukee B. 104-111
Utah J. – Atlanta H. 111-106
Brooklyn N. – San Antonio S. 105-118
Houston R. – LA Clippers 122-117