Lakersat, afër marrëveshjes me Anthony Davis
Anthony Davisi pritet t’i bashkohet LeBron Jamesit te Los Angeles Lakersi. Skuadra kaliforniane e ka bindur New Orleansin duke ofruar Brandon Ingramin, Lonzo Ballin, Josh Hartin si dhe tri zgjedhjet e para, duke përfshirë edhe numrin 4 të këtij viti. Lakersi mposht kështu konkurrencën e Boston Celticsit, që nuk pranon ta lëshojë “xhevahirin” e tyre, Jason Tatum.
Me këtë lëvizje, sipas “bookemakers”it, Lakersi bëhet favorit për sezonin e ardhshëm, por gjithsesi merkatoja nuk ka përfunduar. Është po Los Angelesi që dëshiron të nënshkruajë me një tjetër “yll”, përveç lojtarëve të rolit, siç është Derrick Favors i Utah Jazzit. Pëlqehet shumë Kyrie Irvingu (është vetëm një hap larg Brooklyn Netsit), por favorit mbetet Kemba Walker.
Do të kishte dashur të qëndronte te Charlotte Hornetsi, por ekipi i legjendës, Michael Jordan, nuk i ofron pagën maksimale. Të luash përkrah LeBron Jamesi dhe Anthony Davisit perspektiva bëhet mjaft tërheqëse. Pritet me ankth nëse kampioni i saposhpallur i NBA-s, Kawhi Leonard, do të qëndrojë te Raptorsi, apo Kevin Durant e Klay Thompson, të përndjekur nga dëmtime të rënda, do të largohen nga Golden State Warriors. 4 korriku është ende larg, por poshtë koshit kanë nisur të ndizen fishekzjarrët e merkatos.