Lakersat dhe Milwaukee nuk kanë të ndalur në NBA
Në NBA është momenti i Los Angeles Lakers, pasi kjo skuadër ka regjistruar shtatë fitoret radhazi. “Viktima” e fundit e LeBron James dhe Anthony Davis me shokë ishte San Antonio Spurs që u mposhtë brenda në “AT&T Center” nga Lakers me rezultatin 104-114.
Me 33 pikë 3 rebound dhe 14 asistime mbreti James ishte ai që udhëhoqi skuadrën e Frank Vogel drejt fitores së radhës ndërkohë që paraqitje të mirë bëri edhe Anthony Davis i cili koleksionoi 19 pikë 12 rebound dhe 6 asistime. San Antonios në krahun tjetër që është në një krizë të thellë rezultatesh pasi pësoi humbjen 9-të në 10 ndeshjet e fundit, nuk i mjaftuan 54 pikët e realizuara nga dyshja Aldridge-DeRozan. Nuk di më të ndalet as Milwaukee Bucks që gjithashtu mori fitoren e 7-të radhazi pasi mposhti në Wisconsin 122-118 Utah Jazz në një ndeshje ku diferencën e bëri i përhershmi Giannis Antetokounmpo autor i 50 pikëve, ndërsa shtoi edhe 14 rebound e 6 asistime. Kjo ishte fitorja e 14-të në 17 takime për Bucks të cilët kryesojnë konferencën e Lindjes.
Një sukses me peshë morën edhe kampionët në fuqi të NBA, Toronto Raptors që mposhtën 101-96 Philadelphia 76-ers falë 49 pikëve të realizuara nga dyshja Siakam-VanVleet. Nuk di të ngrejë kokë Golden State që ka filluar ta “shikojë” me dylbi që tani fazën “play-off”, pasi pësoi humbjen e 15-të në 18 ndeshje në total. Warriors u mposhtën në Oracle Arena me rezultatin e ngushtë 97-100 nga Oklahoma City Thunder. /SS/